Javën e kaluar, modelja dhe aktorja me famë botërore, Paris Hilton, i ka dhënë fund beqarisë.
Ajo kurorëzoi dashurinë e saj me martesë me afaristin Carter Reum, në një ceremoni luksoze të organizuar në pronën e gjyshit të saj të ndjerë në Bel-Air.
Pjesëmarrëse në dasmë ishte këngëtarja shqiptare me renome ndërkombëtare, Bebe Rexha.
Kjo e fundit i mahniti të gjithë të pranishmit me para qitjen e saj elegante me një fustan të kaltër të gjatë, ndërsa ishte e shoqëruar nga i dashuri i saj, kinematografi Keyan Safyari.
Artistja, emri origjinal i së cilës është Bleta Rexha, ka pasur rastin që gjatë dasmës së shoqes së saj, të takohet me super yllin Kim Kardashian.
Kimi është dukur gjithashtu elegante në ceremoni, e veshur me një fustan të zi me një dekolte paksa provokuese, ndërsa ka qenë e shoqëruar në mbrëmje nga aktori amerikan Evan Ross.
Të katër të famshmit kanë realizuar një fotografi të përbashkët, nga ku duket se kanë kaluar çaste të mira së bashku në dasmën e Paris dhe Carter.
Bebe Rexha përndryshe ka treguar ndër vite se ruan një miqësi të mirë me anëtarët e familjes Kardashian, kjo edhe falë njohjes që vjen nga grimeri i tyre i përbashkët, Mario Dedivanoviç.
32-vjeçarja ka pasur një vit mjaft të suksesshëm në muzikë me nxjerrjen në treg të albumit të saj të dytë në karrierë, “Better Mistakes”. /Telegrafi/