Bebe Rexha, ylli i muzikës pop me origjinë shqiptare dhe me një karrierë të konsoliduar në skenën ndërkombëtare, ka lënë mbresa të paharrueshme për publikun në Jeddah të Arabisë Saudite me një performancë spektakolare në festivalin vjetor “Balad Beast”.
Ajo ka performuar para një audience prej jo më pak se 50 mijë personash, duke dhuruar spektakël teksa interpretonte disa nga hitet e saj që nxisin lëvizje dhe emocione.
Pas koncertit, Bebe e emocionuar ndau me ndjekësit e saj në InstaStory ndjenjat e saj falënderuese për turmën e të rinjve dhe të rejave që e përkrahën.
“Kjo është për ju, njerëzit e mrekullueshëm në Jeddah që ishit mbrëmjen e sotme. Dua të ju falënderoj që erdhët. Ishin plot 50 mijë prej jush dhe kjo ishte hera ime e parë që këndoja këtu, e gjitha ishte thjesht e mrekullueshme. Ju falënderoj nga zemra, jam e bekuar dhe kalova një natë magjike!”, tha Rexha.
Koncerti i saj në këtë festival, i cili çdo vit tërheq emra të njohur ndërkombëtarë, shënoi një kapitull të ri në karrierën e Bebe Rexhës, duke shtuar një tjetër sukses në listën e saj të gjatë të arritjeve artistike.
Nata e mbushur me energji dhe ndriçim skenik, theksoi praninë e saj si një artiste e nivelit të lartë dhe një ambasadore e kulturës shqiptare në botë.
Kjo nuk është hera e parë e Bebe Rexhës që performon në Arabinë Saudite, pasi në dhjetor ajo ishte gjithashtu prezente për të kënduar në ceremoninë hapëse himnin zyrtar të Kampionatit Botëror për klube në futboll, bashkë me David Guettan. /Telegrafi/