Telegrafi

BBC kërkon falje për defekt në aplikacionin dhe ueb-sajtin e saj të motit

Përdoruesit e rrjeteve sociale janë tallur me shërbimin e motit të BBC-së të premten, pasi një “defekt” bëri që aplikacioni dhe ueb-sajti japin parashikim për një temperaturë dimërore 7C në Mbretërinë e Bashkuar dhe Evropë deri të enjten e ardhshme – dhe prezantuesit e motit i prezantuan ato parashikime të gabuara.

Problemi u shfaq të enjten mbrëma, ndërsa përdoruesit i përdorën rrjetet sociale për të vënë në dukje gabimin e dukshëm, i cili erdhi vetëm disa ditë pasi Zyra e Meteorologjisë njoftoi se Mbretëria e Bashkuar është në rrugën e duhur për qershorin e saj më të nxehtë në histori.

Faqja e BBC tregon aktualisht një hartë të Evropës të mbuluar me një sërë parashikimesh pesimiste për javën e ardhshme, duke përfshirë temperaturat maksimale prej 7 gradë Celsius në Londër, 8 gradë Celsius në Paris dhe 12 gradë Celsius në Romë, raporton Daily Mail, transmeton Telegrafi.

Por parashikimet e Zyrës së Meteorologjisë tregojnë se temperaturat do të arrijnë në 24C në Londër gjatë fundjavës, me temperatura minimale gjatë natës prej 13C gjatë javës së ardhshme.

Një përdorues bëri shaka, duke shkruar: “Stafi i zyrës së motit në BBC-së shkoni në shtëpi, jeni dehur”, ndërsa një tjetër shtoi: “A jeni serioz BBC? Epoka e re e akullnajave?”. BBC ka kërkuar falje pas “defektit”, duke thënë se po punonin për ta rregulluar atë sa më shpejt të jetë e mundur.

Duke parë anën qesharake, përdoruesit e mediave sociale u tallën me BBC-në, me disa shaka se përgjegjësit e kësaj “vepre” ishin duke qeshur.

Një përdorues aludoi në serialin HBO Game of Thrones teksa shkroi: “Dimri po vjen. Sipas BBC Weather, javën e ardhshme”. /Telegrafi/