BBC ka provokuar zemërim pasi një spikere e lajmeve tha se “forcat izraelite janë të lumtura të vrasin fëmijë” gjatë një interviste televizive me ish-kryeministrin e vendit.
Prezantuesja Anjana Gadgil e shprehu deklaratën, ndërsa intervistoi Naftali Bennett, i cili udhëhoqi vendin nga viti 2021 deri në 2022, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Që kur segmenti u transmetua në kanalin BBC News, zonja Gadgil duket se ka fshirë profilet e saj në mediat sociale dhe BBC ka kërkuar falje – duke e përshkruar gjuhën e saj si ‘të papërshtatshme’ dhe ‘të pa formuluar mirë’.
Në intervistë, ajo tha: “Ushtria izraelite po e quan këtë një ‘operacion ushtarak’, por ne tani e dimë se të rinjtë po vriten, katër prej tyre nën 18 vjeç”.
“A është vërtet ajo çfarë ushtria ka vendosur të bëjë? Të vrasë njerëz nga mosha 16 deri në 18 vjeç?”.
Bennett tha: “Përkundrazi. Në fakt, të 11 personat e vrarë atje janë militantë. Fakti që ka terroristë të rinj që vendosin të mbajnë armë është përgjegjësi e tyre”.
Ai shtoi se shumë nga ata që janë përgjegjës për sulmet terroriste që kishin vrarë dhjetëra izraelitë gjatë vitit të kaluar ose vinin nga Jenin ose ishin trajnuar atje.
Zonja Gadgil iu kundërpërgjigj dhe tha: “Terroristë, por fëmijë. Forcat izraelite janë të lumtur të vrasin fëmijë”. /Telegrafi/