BBC ka kërkuar falje dhe e ka pranuar “të meta serioze” në realizimin e një dokumentari për jetën e fëmijëve në Gaza.
Dokumentari, Gaza: How to Survive a War Zone, (Si të Mbijetosh në një Zonë Lufte) u tërhoq nga iPlayer javën e kaluar pasi u zbulua se narratori 13-vjeçar ishte djali i një zyrtari të Hamasit.
Mediumi potencoi se “nuk ka plane të transmetojë përsëri programin në formën e tij aktuale ose ta kthejë atë në iPlayer”.
Hoyo Films, kompania e prodhimit që realizoi dokumentarin për BBC, tha se mendonte se ishte “e rëndësishme të dëgjoheshin nga zëra që nuk janë përfaqësuar në ekran gjatë gjithë luftës me dinjitet dhe respekt”.
Kompania shtoi se po “bashkëpunon plotësisht” me BBC-në për të “ndihmuar në kuptimin e gabimeve që mund të jenë bërë”.
BBC hoqi dokumentarin nga transmetimi pasi u ngritën shqetësime se ai kishte në qendër një djalë të quajtur Abdullah, i cili është djali i zëvendësministrit të bujqësisë të Hamasit. Hamasi është shpallur organizatë terroriste nga Mbretëria e Bashkuar dhe vende të tjera.
Gjithashtu, BBC nisi një rishikim të dokumentarit, ndërsa Bordi i saj u mblodh të enjten për ta diskutuar këtë çështje.
Në një deklaratë zyrtare, një zëdhënës i BBC-së tha se si kompania prodhuese ashtu edhe BBC-ja kishin bërë gabime të “papranueshme” dhe se korporata “merr përsipër përgjegjësinë e plotë për këto gabime dhe ndikimin që ato kanë pasur në reputacionin e saj”.
Gjithashtu, u shtua se BBC nuk ishte informuar paraprakisht nga kompania prodhuese e filmit mbi lidhjet familjare të adoleshentit. /Telegrafi/