Feronikeli ka marrë një fitore tejet të rëndësishme në xhiron e 9-të në Superligën e Kosovës, duke mposhtur Llapin më epërsi minimale 1-0.
Goli i vetëm i cili i solli fitoren “Industrialistëve” erdhi nga Yll Hoxha me një goditje dënimi nga largësia.
Pas ndeshjes trajneri i Llapit, Tahir Batatina në intervistë në “Art Sport” ka shpërthyer pas humbjes ndaj Feronikelit duke kritikuar gjyqtarin Genv Nuzës, teksa dha edhe një paralajmërim për FFK.
“Mendoj se nuk është problemi i Llapit t’i zgjedhë problemet e skuadrave që nuk kanë rezultate të mira. Genc Nuza ka ardhur me i zgjidh problemet e Feronikelit. Nuza u vërejt që nga minuta e parë për ta rregulluar këtë ndeshje”.
“Nuza është refer tendencioz që shkon dhe i fiton ndeshjet skuadrave të caktuara”.
“Kjo fitore është e Genc Nuzës dhe jo e Feronikelit. Ne ja urojmë atyre fitoren, por nuk është aspak mirë kështu”.
“Skuadra jem do largohet nga fusha herën tjetër kur Nuza referon, nëse federatës i konvenon ta mbajë atë para investitorëve le të vazhdojë”, ka thënë Batatina. /Telegrafi/