Llapit ka bërë shumë rokada në afatin kalimtar dimëror, duke i lënë të largohen përveç trajnerit edhe disa lojtarë me emër në futbollin e Kosovës.
Pas largimit të Bekim Shotani në krye të Llapit erdhi Xhengis Rexhepi, ndërsa i janë larguar lojtarë si Dardan Jashari, Shend Kelmendi dhe portieri Bledar Hajdini.
Jashari kishte qëndruar te Llapi mbi katër vite e gjysmë, duke qenë lojtari më i vjetër në klub.
Pastaj Shend Kelmendi, një talent që ka luajtur te Prishtina dhe Trepça ’89.
Befasia më e madhe ishte huazimi i Bledar Hajdinit te Ballkani, pasi që erdhi si përforcimi më i madh i këtij klubi në verë.
Largimi i këtyre lojtarëve nuk e preokupon aq drejtorin gjeneral të klubit, Tahir Batatinën.
“Ndryshimet kanë ardhur në aspektin profesional dhe kemi analizuar situatën shumë me kujdes dhe kemi mbuluar pozicionet e tyre me lojtar shumë cilësor. Kam bërë ndryshime në pozicionet qe kemi pasur ngecje atu ku kamë menduar se kemi nevojë”.
Ai tregon edhe arsyen se pse i ka larguar disa lojtarë nga klubin.
“Lirimi i këtyre lojtarëve nuk e zbehë as pak misionin tonë, që ne të jemi sa më lart në renditje dhe të jemi se bashku në garë me dy kandidatët tjerë për kreun”.
“Ne do t’i respektojmë te gjitha skuadrat që ne garojmë, por jemi të qetë nuk kemi presion. Ne luajmë dhe do të paraqitemi nga ndeshja në ndeshje duke e ngritë lojën e mirë të skuadrës. Ky është qëllimi im dhe i shefit të shtabit teknik. Një Llap i konsoliduar mirë dhe për shtigje afatgjata. Të jemi ekip i dashur për adhuruesit e futbollit”, ka thënë Batatina për Telegrafin.
Tutje ai shtoi se klubi po punon që tu jepet sa më shumë hapësirë talenteve.
“Mirlind Daku dhe Festim Alidema e rritin motivin e lojtarëve, se Llapi ka vizion për t’i ngritur dhe avancuar lojtarët në nivele evropiane dhe ky o misioni im”.
Nga Llapi mund të largohet Festim Alidema, i cili sipas klubit ka oferta nga disa klube në Zvicër.
“Me punë ne do të jemi një Basel i vërtet i Kosovës duke i ngritur dhe avancuar talentët. Nëse Festimi lëvizë do ta zëvendësojmë me një super lojtar dhe nuk do të lejojmë vakum në skuadër”, deklaroi Batatina për Telegrafin.
Llapi është eliminuar nga Kupa, ndërsa pranverën e fillon me vizitën te KEK-u. /Telegrafi/