Site icon Telegrafi

Bastisja në aneksin ngjitur me Stacionin Policor në Prishtinë, Sveçla: Aty u zhvillua aktivitet i dyshimtë me rrezik për sigurinë e vendit

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka dhënë detaje për një aktivitet të dyshimtë të një Organizate Joqeveritare, e vendosur në një aneks të Stacionit Policor Qendra në Prishtinë.

Në një shkrim në Facebook, Sveçla tha se Departamenti i Organizatave Joqeveritare në kuadër të MPB-së ka konfirmuar se organizata në fjalë “Centar za Mir i Toleranciju Pristina”, nuk ka respektuar legjislacionin në fuqi mbi funksionimin e OJQ-ve.

Ndërkaq, shton ministri, pas bastisjeve është kuptuar që ajo hapësirë nuk është shfrytëzuar fare për natyrën e kësaj OJQ-je.

Lexo po ashtu Bastiset objekti ngjitur me stacionin e Policisë në Prishtinë, Prokuroria jep detaje

Sveçla theksoi se janë informuar institucionet përkatëse të sigurisë dhe është konfirmuar se e njëjta ka veprimtari ilegale gjë e cila është vërtetuar pas hyrjes së Policisë dhe Prokurorisë brenda objektit.

“Një veprimtari e tillë në mes të tre institucioneve më të larta të sigurisë së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Kryeprokurorisë dhe Policisë së Kosovës është tejet e dyshimtë dhe paraqet rrezik për sigurinë e vendit”, u shpreh më tej.

“Republika e Kosovës është shtet unitar me të drejta e shërbime për gjithë qytetarët pa dallim. Ka kaluar koha kur në vendin tonë tolerohej paligjshmëria”, tha në fund. /Telegrafi/

Exit mobile version