Site icon Telegrafi

Bashkimi i Shqipërisë me Maqedoninë në rrugën e anëtarësimit, Rama: Kushtëzim i padrejtë, na poshtëruan

U mbajt sot në Luksemburg konferenca e dytë ndërqeveritar Shqipëri-BE për hapjen e kapitujve kryesorë.

Në fjalën e tij në këtë konference, kryeministri Edi Rama komentoi momentin kur Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut u bashkuan në rrugën e anëtarësimit në BE duke kushtëzuar rrugëtimin e njëra tjetrës një gjë kjo sipas tij e padrejtë ndaj të dyja vendeve.

“Shqipëria është bërë bashkë me detyrim me të tjerë shumë herë, na bënë bashkë me italianët, me stalinistët. Krejt befas e gjetëm veten tonë të bashkuar me RMV, nuk ishte aq keq se mundëm të ndanim situatat e zymta me njëri-tjetrin në pritje të BE. Kur flas për poshtërimet tona, tre herë na u refuzua anëtarësimi, RMV ndryshoi edhe emrin që të mund të ndiqte këtë gjë ndaj i qëndroj gjithçkaje kam thënë për miqtë tanë bullgarë; historia nuk mund të jetë arsye për të ndaluar bisedimet e anëtarësimit për asnjë vend”, tha Rama.

Ai theksoi se BE në të shkuarën është treguar e padrejtë me vendet kandidate siç është Shqipëria, kur hodhi poshtë rekomandimet e hartuara nga vetë Komisioni Evropian.

“Kanë qenë 5 vite të gjatë sfiduese dhe jo të lehta, qëndroj këtu përpara këtij hapi domethënës për integrimin ne Shqipërisë në BE. Për fat të keq, me ndihmën e Vladimir Putin që ky proces mori një shpejtësi të re pas agresionit të tij në Ukrainë që i kujtoi Evropës se keni nevojë për Ballkanin Perëndimor. Çelja e grupkapitullit me 5 kapituj themelorë dhe kriteret shënon një gur themel historik drejt ribashkimit tërësor evropian. Dje isha në Berlin ku mora pjesë në Samitin e Berlinit dhe një gazetar më pyeti: A ka Shqipëria një plan B nëse sërish BE e vonon procesin siç ka bërë në të shkuarën. Shpesh BE është treguar e padrejtë ndaj vendeve kandidate, u tregua e padrejtë ndaj nesh kur hodhi poshtë rekomandimet e hartuara nga komisioni i vet, mbështetur në fakte por ne nuk mund të kemi një plan BE kur vjen fjala për sundimin e ligjit dhe demokracinë që nuk mund të garantohet jashtë BE. Shqipëria ka përmbushur të gjitha parakushtet për të nisur këtë fazë të integrimit”, tha Rama. /Telegrafi/

Exit mobile version