Site icon Telegrafi

Bashkimi Evropian vendos sanksione për 6 biznese ruse

Bashkimi Evropian ka njoftuar se është marrë vendimi për masa kufizuese ndaj gjashtë kompanive ruse për arsye se janë të përfshirë në veprime që kërcënojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës.

Në deklaratën e Këshillit Evropian thuhet se firmat kanë qenë të përfshira në ndërtimin e urës së Kerçit që lidh Gadishullin e Krimesë me Rusinë dhe se për shkak të veprimeve të këtyre firmave, Rusia ka rritur kontrollin në Gadishullin e Krimesë të aneksuar në mënyrë të paligjshme.

Po ashtu thuhet se pasuritë e këtyre firmave në vendet e Bashkimit Evropian janë ngrirë dhe se firmave të tjera u është ndaluar furnizimi i resurseve financiare për firmën ruse.

Me këtë vendim, numri i personave që gjenden në listën e sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe të cilëve u janë ngrirë pasuritë dhe u është ndaluar udhëtimi u rrit në 155, kurse ai i firmave në 44, përcjell Telegrafi.

Bashkimi Evropian për herë të parë vendimin për sanksione ekonomike ndaj Rusisë kishte marrë në vitin 2014. Në përputhje me sanksionet zgjatura, 28 vendet anëtare të Bashkimit Evropian nuk mund t’i shesin armë Rusisë. Me sanksionet kufizohet blerja e disa teknologjive në sektorët rus të naftës dhe gazit nga këto vende. /Telegrafi/

Exit mobile version