Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale kaloi në mënyrë të qetë dhe transparente, por nevojiten reforma shtesë në legjislacionin zgjedhor” thonë nga Brukseli, liderët evropianë.
Zëdhënësja e institucioneve të BE-së, Maja Kocijançiq, për AIM tha se sipas raportit të misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR, liritë fundamentale të bashkimit dhe shprehjes ishin respektuar, në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale dje dhe se vlerësimi i përgjithshëm për to është pozitiv, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Mbetet e nevojshme të finalizohen reformat e filluara paraprakisht të legjislacionit zgjedhor”, theksoi Kocijançiq.
Bashkimi Evropian u bën thirrje qytetarëve të Maqedonisë së Veriut ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre në raundin e dytë më 5 maj dhe masivisht të dalin të votojnë.
“I inkurajojmë qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike dhe të marrin pjesë në numër të madh në raundin e dytë që vota e tyre të bëhet e vlefshme”, konsiderojnë liderët evropianë.
Në mënyrë shtesë, Brukseli i porosit të gjitha palët “t’i sigurojnë kushtet e nevojshme për proces zgjedhor të besueshëm dhe transparent dhe stabilitet të përgjithshëm politik”./Telegrafi/