Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Frashër Krasniqi, ka reaguar ndaj deklaratës së ish-ministrit në Qeverinë e Kosovës e ish liderit të Listës Serbe, Aleksandër Jabllanoviq.
“Vetë mundësia që Qeveria ta ka dhënë ty dhe listës Srpska, me bashkëqeverisë e me fol për Kosovën, është pështymje mbi varret e mbi 12,000 njerëzve të vrarë në Kosovë dhe mbi fytyrat e dy milionë qytetarëve që jetojnë në këtë vend”, ka thënë Krasniqi.
Këtë koment ai e ka bërë pas deklaratës së Jabllaniviqit se “procesi i formimit të Forcave të Armatosura të Kosovës mund të bëhet vetëm me ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës e serbët nuk do të duhej e nuk do të guxonin të përkrahin këtë vendim, sepse ky vendim për popullin dhe shtetin tonë do të ishte rrugë në një drejtim”.
“Duke votuar për Ushtrinë e Kosovës do të pështynim në varrin e çdo ushtari e polici të vrarë e të plagosur në Kosovë”, ka thënë Jabllanoviq.
Portali koha.net ka raportuar gjatë ditës se me këto fjalë është përgjigjur Aleksandar Jablanoviq, themelues i Listës Srpska dhe ish – ministër për Komunitete e Kthim në Qeverinë Kosovës (i shkarkuar në janarin e vitit 2015 pas fyerjeve të nënave të viktimave të luftërave në Gjakovë) ndaj kërkesave të politikanëve shqiptarë të Kosovës që serbët në institucione kosovare të mbështesin formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, njofton gazeta “Veçernje Novosti” e Beogradit.
Jablanoviq njëkohësisht ka thënë se në Kosovë është në fuqi Rezoluta 1244 e KS të KB-së, sipas së cilës i vetmi formacion i armatosur është KFOR-i me mundësi të kthimit të pjesëtarëve të Ushtrisë serbe.
Dje, zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës Branimir Stojanoviq ka thënë se qëndrimi negativ i serbëve për formimin e Ushtrisë së Kosovës nuk ka ndryshuar.