Barcelona thuhet se është pajtuar me largimin e yllit argjentinas, Lionel Messi, por shpreson që të transferohet te Manchester City dhe këta të fundit të paguajnë një shifër të konsiderueshme për të.
Sulmuesi argjentinas befasoi të gjithë me faksin e tij të dërguar tek drejtuesit e klubit të martën, ku kërkonte prishjen e klauzolës dhe largimin nga Camp Nou.
Faksi i tij u komentua shumë dhe mediat menjëherë filluan ta lidhin atë me klube të ndryshme, të cilët duan dhe mund ta transferojnë atë.
Klubi më i lidhur me një transferim të kapitenit të Barcelonës është Manchester City, pasi Messi aty do ta gjente ish-trajnerin e tij Pep Guardiola.
Sipas mediumit The Mirror, Barcelona beson se Messi do të nënshkruajë për Cityn dhe ata shpresojnë të bien dakord për një marrëveshje prej 250 milionë funtesh apo 280 milionë euro për argjentinasin.
Tarifa e rishikuar e transferimit vjen pasi City dhe Messi vazhdojnë të hetojnë shanset që ai të largohet nga Camp Nou si lojtar i lirë.
Barca është e gatshme të pranojnë lojtarë si pjesë të marrëveshjes, por duan të paktën 120 milionë euro në të holla në mënyrë që ata të rindërtojnë skuadrën e tyre. /Telegrafi/