Telegrafi

Barcelona ofron 100 milionë euro dhe tre lojtarë për Neymarin

Dy vite pasi u largua nga Barcelona, Neymar mund të rikthehet në Camp Nou, derisa mediat në Spanjë raportojnë se në marrëveshje mund të përfshihen tre lojtarë.

Në verën e vitit 2017, braziliani e kompletoi transferimin te Paris Saint-Germain për 222 milionë euro, duke e ndryshuar tregun e transferimeve rrënjësisht.

GloboEsporte raporton se Neymari është shumë afër të rikthehet te Barcelona, gjersa edhe bisedimet kanë filluar në mes të dyja klubeve.

Neymar dhe Nasser Al-Khelaifi (Foto: Aurelien Meunier/Getty Images/Guliver)

Sipas këtij mediumi, braziliani do t’i kushtonte klubit katalunas 100 milionë euro, me Samuel Umtitin, Ousmane Dembelen dhe Ivan Rakitici, të përfshirë në marrëveshje.

Ditë më parë, presidenti i PSG-së, Nasser al-Khelaifi i tha FranceFootball se dyert janë të hapura që Neymar të largohet nga Parku i Princave.

Lexo po ashtu Al-Khealifi humb durimin me Neymarin: Askush nuk e detyroi të transferohet në PSG

L’Equipe më tej raportoi se braziliani nuk është i lumtur me mossuksesin e klubit parisien në arenën ndërkombëtare, andaj edhe po e kërkon largimin.

Neymari më shumë ka qëndruar i lënduar te PSG-ja se sa që ka luajtur, derisa kjo situatë e ka nervozuar atë që ta kërkojë largimin në këtë verë edhe pse gëzon një status të lartë në klub. /Telegrafi/