Telegrafi

Barcelona mposht Bilbaon nën regjinë e Messit dhe ngjitet në pozitën e tretë në La Liga

Barcelona ka fituar në udhëtim te Athletic Bilbao me rezultat 3-2 në ndeshjen e mbetur të vlefshme për javën e dytë në La Liga.

Katalunasit e kanë marrë një fitore të madhe në stadiumin ‘San Mames’ pas një paraqitje brilante ndaj vendasve të Bilbaos.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë më të mirë të Barcelonës, e cila shënoi dy gola, kundrejt një të vendasve.

Megjithatë, të parët në epërsi kaluan Bilbao duke befasuar me anë të Inaki Williamas, i cili shënoi për 1-0 pas vetëm tre minutave lojë.

Barcelona arriti të kthehet në lojë në minutën e 14-të me anë të Pedrit, i cili shënoi me kokë për 1-1 pas asistimit të Frenkie De Jong, ndërsa Lionel Messi (38’) shënoi për 1-2 pas bashkëveprimit të mirë të Pedrit.

Në pjesën e dytë, Barcelona shtoi raste dhe dominoi, duke shënuar gol dhe goditur disa herë shtyllën me Messin, ndërsa Bilbao gjeti golin e ‘ngushëllimit’ vetëm në fund.

Goli i parë në këtë pjesë erdhi në minutën e 62-të me anë të Messit, i cili shënoi gol të bukur për 1-3, ndërsa goditjet e argjentinasit në minutat 59’ dhe 72’ u mohuan nga shtylla.

Kur pritej që ndeshja të mbyllej me këtë rezultat, në skenë doli Iker Munain (90′), duke shënuar për 2-3 dhe ky doli të ishte rezultati përfundimtar.

Pas kësaj fitore, Barcelona e sheh veten në pozitën e tretë me 31 pikë, ndërsa Bilbao gjenden në vendin e nëntë me 21 pikë.

Në ndeshjen e radhës, katalunasit udhëtojnë te Granada, ndërsa baskët udhëtojnë te Atletico Madrid. /Telegrafi/