Telegrafi

Barcelona e ka prioritet transferimin e Gravenberch në afatin kalimtar të janarit

Ryan Gravenberch është njëri nga mesfushorët më të talentuar në Evropë.

Mesfushori holandez ka shkëlqyer edicionin e kaluar dhe në këtë aktualin me Ajaxin, duke zgjuar interesimin e skuadrave të mëdha.

Edhe pse në moshë të re, Gravenberch po luan liderin tek gjiganti holandez dhe vlera e tij sa shkon e rritet.

Barcelona e ka bërë prioritet transferimin e tij në janar dhe për këtë ka raportuar gazetari i Transfermarkt, Nicolo Schira.

Katalunasit kanë raporte të shkëlqyeshme me Ajaxin dhe do të futën në bisedime për transferimin e talentit të madh holandez.

Por problemi i katalunasve është se ata nuk kanë shumë para në dispozicion për të shpenzuar për transferime.

Barça do të tentojë afrimin e Gravenberch si huazim me detyrim blerje në verën e vitit 2022.

Vlen të theksohet se interesim për 19-vjeçarin kanë shprehur edhe skuadra tjera të mëdha si Juventus, Milan, Roma, Arsenal dhe Liverpool.

Vlera momente e Gravenberch në tregun e transferimeve sillet rreth 40 milionë euro.

19-vjeçari këtë edicion ka zhvilluar 13 ndeshje me Ajaxin, ku ka shënuar një gol dhe ka asistuar në një tjetër. /Telegrafi/