Barcelona momentalisht është në fazën e planifikimit për afatin kalimtar veror dhe ‘elefanti në dhomë’ është padyshim pozita e sulmuesit qendror.
Robert Lewandowski ka qenë në një formë fantastike këtë sezon por mosha e tij e madhe ka sjellë nevojën që të transferohet një tjetër sulmues.
Një sërë kandidatësh janë lidhur me blaugranasit gjatë dy viteve të fundit, veçanërisht në fund të sezonit të kaluar, kur Xavi Hernandez supozohej se kishte vendosur ta largojë Lewandowskin.
Sipas një raportimi nga El Chiringuito, drejtuesit e klubit e kanë bërë suedezin Alexander Isak objektivin e tyre kryesor të verës.
Isak do të ishte prioriteti i tyre kryesor për verën e ardhshme dhe ata thonë se pasi kontaktuan me përfaqësuesit e tij, kanë marrë një përgjigje pozitive.
Ai thuhet se ka një pëlqim për Barcelonën, diçka që mund të lehtësojë negociatat potenciale me klubin anglez.
25-vjeçari e ka çuar lojën e tij në një nivel tjetër që prej se iu bashkua Newcastle nga Real Sociedadi për 70 milionë euro në vitin 2022.
Pas një sezoni të parë modest, Isak e përfundoi me 25 gola në 40 paraqitje vitin e kaluar dhe këtë sezon po ec me një shpejtësi e cila mund ta tejkalojë atë shifër me lehtësi.
Kjo për shkak se Isak deri në këtë pikë të sezonit ka realizuar 19 gola në 28 ndeshje të luajtura, teksa ka edhe pesë asistime./Telegrafi/