Telegrafi

Barca rrëmben Kupën e Mbretit (Video)

Barcelona e ka fituar trofeun e dytë sezonal, atë të Copa del Rey, pas fitores prej 2-0 kundër Sevillas në finalen e zhvilluar në Vicente Calderon.

Ashtu siç edhe pritej, katalunasit e dominuan fraksionin e parë të lojës, megjithëse nuk ia dolën të shënonin. Mirëpo, shanset e tyre për ta fituar ndeshjen u kufizuan paksa, duke qenë se mbetën me një lojtar më pak në fushë.

Javier Mascherano ndërhyri në Gameiron duke e tërhequr si lojtar i fundit dhe arbitri vendosi t’ia tregonte kartonin e kuq (36’). Ashtu që, krahas minutave të mbetura të gjysmës së parë, Blaugranët u desh ta zhvillonin gjithë pjesën e dytë me dhjetë lojtarë.

Takimi nuk shkoi aspak sipas planeve të Luis Enriques në vazhdim. Pos vështirësive si pasojë e inferioritetit numerik, në gjysmën e dytë Barcës iu lëndua edhe njëri prej lojtarëve kryesorë.

 

Është fjala për Luis Suarez, i cili pësoi një dëmtim dhe nuk mundi të vazhdonte më. Uruguaiani u detyra ta lëshojë fushën si pasojë e një tërheqjeje muskulore. Ai u largua në minutën e 57-të, ndërsa vendin e tij e zuri Rafinha.

Në minutat shtesë u barazuan forcat numerike në fushë, pasi Ever Banega u përjashtua me karton të kuq (90’+2). Deri në fund të kohës së rregullt, rezultati mbeti i pandryshuar, ashtu që u desh të zhvilloheshin vazhdimet për ta vendosur fituesin.

U desh të zhvilloheshin vazhdimet që të shënohej goli i parë në këtë sfidë. Protagonist i golit të epërsisë ishte mbrojtësi i krahut, Jordi Alba, i cili shënoi në minutën e 97-të. Mirëpo, e gjitha erdhi falë lojtarit kryesor të Barcës, Lionel Messi, i cili dhuroi një asistim magjik.

Blaugranët patën edhe disa raste deri në mbyllje të sfidës së zgjatur, ndërsa Neymar e shënoi edhe një gol (120’+2). Sërish asistoi Leo Messi. Në këtë mënyrë, pas titullit të La Ligas, Barcelona iu gëzua edhe trofeut të Kupës.

Ky është trofeu i 28-të i Copa del Rey për Barcelonën që e zgjat rekordin për më së shumti triumfe të kësaj gare. /Telegrafi/

1-0

1-0: Shënon Alba, asistim maestal nga Leo Messi.

Posted by Telegrafi Sport on Sunday, 22 May 2016

2-0

2-0: Goli i Neymar, edhe një asistim i bukur nga Messi.

Posted by Telegrafi Sport on Sunday, 22 May 2016