Koalicioni LDK-LVV ende nuk është arritur, pavarësisht takimeve të shumta të liderëve të këtyre partive për të arritur një marrëveshje.
Mospajtimet më të madha që nuk pi i bashkojnë këto dy parti, është posti i kryeministrit, ku Lidhja Demokratike e Kosovës ka propozuar kandidate Vjosa Osmani për këtë post.
Mirëpo, lideri i LVV-së, Albin Kurti, sot i ka dorëzuar një letër kreut të LDK-së, Isa Mustafa, ku përmes kësaj letre Kurti ka ftuar Lidhjen Demokratike të Kosovës që të garojnë me një listë të përbashkët, por pa kandidat për kryeministër.
Kurti në shkrimin e bërë në Facebook ka thënë se duhet garuar me listë të përbashkët, dhe se varësisht cili kandidat ai i LDK-së apo i VV-së merr më së shumti vota, ai të bëhet kryeministër.
“Ne shprehim gatishmëri për një koncesion të madh: në listën zgjedhore nr.1 të jetë Vjosa Osmani, kurse nr.2 kandidati ynë të cilin e vendos Këshilli ynë i Përgjithshëm (e të cilin për hir të korrektësisë ndaj bisedimeve tona ne ende nuk e kemi mbajtur). Numri 1 në listën garuese është bartës liste kurse numri 2 është përfaqësues i koalicionit”, ka shkruar Kurti.
Nga praktikat zgjedhore dihet se bartësi i listës i merr të gjitha votat. Mirëpo a do të thotë kjo se edhe në propozimin e Kurtit, kryeministre do të jetë Vjosa Osmani?
Njohësi i çështjeve zgjedhore, ish-kryeshefi i KQZ-së, profesori Mazllum Baraliu, në një deklaratë dhënë Telegrafit ka thënë se në propozimin e Kurtit ekziston teorian e propabilitetit e që sipas tij i pari në listë zakonisht merr më shumë vota.
“Ai që është i pari zakonisht merr më shumë vota, sepse ai i merr votat edhe të vetat edhe të partisë. Këto vota mandej krahasohen nga numri 1 deri në 110 dhe shkojnë i shtohen edhe të subjekteve tjera, të partisë së tij dhe të vetat. Këtu është probabilitet, që ai që është i pari merr më shumë”, ka thënë Braliu.
Por, sipas tij Kurti në këtë shkrim e kishte fjalën për parti.
“Mirëpo këtu mendoj se fjala është për subjektin politik që merr më shumë vota me më shumë deputet, do t’i takoj posti i kryeministrit”, ka thënë ai.
Ndër të tjera, Baraliu thekson se propozimi i Kurtit e obligon LDK-në të mos shmanget nga koalicioni.
“Është një propozim kompromisi dhe mendoj që LDK-në e obligon edhe më shumë të mos shmanget nga koalicioni. Por, më e rendësishme se kaq është që interesat partiake duhet t’i heqin të dy partitë, dhe ta bëjnë koalicoonin pa kushte në mënyrë që nëse fitojne pas zgjedhjeve t’i detalizojnë pikat e programit”, ka theksuar ai.
Kujtojmë se sot është afati i fundit që të deklarohen koalicionet parazgjedhore./Telegrafi/