Telegrafi

Banka turke rrezikon të humb licencën se s’po gjen shtëpi me leje në Prishtinë (Video)

Banka turke Ziraat rrezikon të humbë licencën paraprake të marrë nga Banka Qendrore e Kosovës për shkak të pamundësisë së gjetjes së një objekti që ka leje ndërtimi në kryeqytet.

Përfaqësuesit e kësaj banke kanë kërkuar nga Komuna e Prishtinës informata në lidhje me një shtëpi në lagjen Qafa, të cilën synonin ta bënin gati për funksionim të zyrës së parë bankare në Kosovë. Mirëpo, shtëpia nuk ka leje dhe për këtë kjo bankë ka hezituar të nis investimet.

Drejtori i Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit në kryeqytet, Liburn Aliu, i ka thënë KTV-së të ketë pasur disa takime me përfaqësues të kësaj banke për të gjetur një zgjidhje.

Aliu ka thënë të ketë kërkuar disa sqarime nga Ministria e Ambientit në lidhje me ligjin për ndërtimet, porse nga sqarimet e kthyera nuk ka marrë ndonjë përgjigje adekuate. Ai ka bërë të ditur se raste të tilla të ngjashme ka pasur edhe më herët.

Edhe Banka Qendrore ka konfirmuar të jetë njoftuar në lidhje me këtë problematikë. Ata kanë bërë të ditur se afati i licencës paraprake është një vit nga data kur është dhënë ajo dhe se për marrjen e licencës së plotë duhen plotësuar disa kushte.

Kohavisioni ka kërkuar të marrë një përgjigje nga zyrtarë të kësaj banke në Turqi dhe nga Oda Tregtare turke në Kosovë, por asnjëra nuk ka kthyer përgjigje.

Ziraat Bank është licencuar nga BQK-ja në qershor të këtij viti, ndërsa është banka e katërt që vjen nga Turqia. /KTV/

KUSHTRIMI ZIRAT BANKA 04 12 from Krenar Thaçi on Vimeo.