Telegrafi

“Ballkanit i duhet fryma e Rugovës” – personalitete të njohura vlerësojnë lartë kontributin e ish-presidentit Rugova

Lidhja Demokratike e Kosovës ka organizuar konferencën “Rugova dhe Perëndimi” ku po marrin pjesë figura të njohura nga skena politike vendore e ndërkombëtare.

Në këtë konferencë që po mbahet për 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës, u diskutua për figurën e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, tha se Kosova është udhëhequr nga një njeri me vizion. Ai tha se është shumë i lumtur që e ka takuar disa herë ish-presidentin Rugova.

“Ishte një frymëzim dhe mentor për mua. Gjatë takimit në Rambuje sa isha diplomat i ri, i thash këshilltarit të Rugovës që të ma jepte një gur. Ai tha që nuk e dija se i donë kaq shumë dhe kështu ma dha një gur. Unë sot në Ambasadë kam një gur të presidentit Rugovës”, tha ambasadori amerikan.

Hovenier u shpreh se kanë mësuar shumë nga ish-diplomatët amerikanë, por kemi mësuar shumë edhe nga Presidenti, Ibrahim Rugova.

“Nga Rugova kemi mësuar se si të marrim një qëndrim parimor, sfidues dhe të gjejmë zgjidhje. Rugova ishte i thjeshtë, gjithmonë ishte parimor dhe udhëheqës pragmatik”, tha ambasadori Hovenier para të pranishmëve.

Ish-kryeministri i Italisë, Massimo D’Alema  tha se më shumë se kurrë Ballkanit i duhet fryma e Rugovës.

Sipas tij, Rugova thoshte se “Pavarësia e Kosovës do të stabilizonte rajonin”.

“Rugova, ky intelektual i madh, kam pas kënaqësi ta takoj dhe të diskutoj për fatin e vendit të tij. Sot përderisa kujtojmë Rugovën veçse po i rikujtojmë sakrificat e popullit të Kosovës”, tha ai në Konferencën Ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”.

Ai tha se takimi me Rugovën ka qenë mundësi e jashtëzakonshme.

“Rugova ishte profet i paqes dhe me të drejt mori titullin Gandi i Ballkanit. Rugova në Romë, në konferencën për media falënderoi NATO-n që shpëtoi popullin e tij”, tha ai.

Roli i Rugovës ishte i pazëvendësueshëm edhe pas luftës, pasi siç tha D’Alema, populli i Kosovës e zgjodhi sërish President të vendit.

Në këtë konferencë po merr pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Akademisë Papnore për Jetën, Vicenzo Paglia. /Telegrafi/