Telegrafi

Ballkani njofton shitjen e të gjitha biletave për ndeshjen ndaj Sivassporit

Ballkani pritet ta ketë mbështetjen e plotë në ndeshjen ndaj Sivassporit në kuadër të grupeve në Ligën e Konferencës.

Kampioni i Kosovës e pret nesër (e enjte) klubin turk në kuadër të ndeshjes së katërt të Grupit G.

Ky takim pritet të zhvillohet në Prishtinë, në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe përkrahja për Ballkanin nuk pritet të mungojë.

Është vet faqja zyrtare e klubit therandas që ka njoftuar publikun se janë shitur të gjitha biletat e ndeshjes ndaj Sivassporit.

“Biletat e shitura 100%!!!. Faleminderit shumë të gjithë tifozëve për këtë interesim të jashtëzakonshëm. Nesër e gjithë Kosova në stadium për Ballkanin”, shkruan në faqen zyrtare.

Ndryshe, stadiumi Fadil Vokrri ka një kapacitet mbi 12 mijë ulëse dhe i mbushur plot me tifozë pritet të jetë një ndihmës e madhe për Ballkanin drejt një rezultati pozitiv.

Ballkani ka fituar takimin e javës së kaluar në Turqi ndaj Sivassporit me rezultat 4-3 dhe një fitore në Prishtinë do të rriste gjasat për kalimin e grupit, pasi momentalisht të katër skuadrat kanë nga katër pikë. /Telegrafi/