Site icon Telegrafi

Ballkani, makineri e talentëve: Ismet Munishi tregon për punën e madhe që po bëhet me lojtarët që janë pjesë e Përfaqësueses së Kosovës

Ballkani jo vetëm se është skuadra më futbollin më të bukur në Superligën e Kosovës, por deri më tani ka dëshmuar se është edhe një vatër e talentëve të rinj.

Ata talentë që po shpërthejnë në klubin nga Theranda, kanë filluar të marrin ftesë jo vetëm nga Përfaqësuesja U-21, por edhe nga ekipi i A i Kosovës.

Në intervistën për Telegrafin, Ismet Munishi ka treguar për përkrahjen e madhe që po u japin talentëve që të dalin në Evropë, por edhe të marrin ftesë nga trajneri Bernard Challandes.

“Për Përfaqësuesen e Kosovës ne kemi dhënë katër lojtarë dhe e gjitha kjo është meritë e presidentit të klubit, Arsim Kabashit, sepse që kur ka ardhur në krye të klubit, e ka organizuar klubin shumë mirë, por është edhe meritë e stafit të trajnerëve edhe lojtarëve që janë treguar shumë të përgjegjshëm”, tha strategu i Ballkanit në intervistë përballë gazetarit Betim Zeqiri.

“Lokomotiva e klubit është Arsim Kabashi që ka bërë një punë të jashtëzakonshme dhe ka sjell disiplinë në klub”.

Ismet Munishi dhe Arsim Kabashi

“Ne kemi shumë lojtar cilësor dhe është mëkat se si një lojtar si Edvin Kuç nuk ftohet të luajë për Përfaqësuesen e Malit të Zi, pasi ka treguar formë të jashtëzakonshme”.

“Pse jo mos të merr edhe pasaportën e Kosovës dhe të luajë për ne, kemi edhe lojtar të tjerë të dalluar si Bleron Sekiraqa, është Meriton Korenica, Arbër Hoxha”, ka shtuar më tej Munishi.

Ballkani tri vite më parë është rikthyer në elitë, ndërsa tani është skuadra me pesë lojtarë të grumbulluar nga Kosova, Mirlind Daku te A-ja dhe Ermal Krasniqi, Albin Kapra, Ramiz Bytyqi e Blend Baftiu te U-21. /Telegrafi/

Exit mobile version