Ermal Krasniqi pritet të largohet nga CFR Cluj vetëm pas gjashtë muajsh qëndrimi në klubin rumun.
Sulmuesi kosovar kishte bërë hapin e madh në karrierë duke iu bashkua Clujit pas shkëlqimit me Ballkanin në elitën e futbollit kosovar, por edhe në ndeshjet ndërkombëtare.
Megjithatë malishevasi pati paraqitje shumë të mira edhe në klubin rumun duke ngjallur interesimin nga kampionate shumë më të forta.
Largimi i Krasniqit nga Cluji duket se do të ndodhë në ditët e fundit të tregut të transferimeve që përfundon më 1 shtator.
Te Cluji presin të fitojnë pesë milionë euro nga shitja e Krasniqit
Te Cluj po presin zyrtarizimin e shitjes së Ermal Krasniqit nga klubi.
Ofertat nuk mungojnë dhe flitet se për Krasniqin janë tre oferta të rëndësishme, një nga Italia, një nga Gjermania dhe një tjetër nga Franca.
Largimin e sulmuesit anësorë anëtari i klubit rumun e ka quajtur si punë të kryer, teksa ka zbuluar se për lojtarin janë tre oferta, një nga Gjermania, një nga Italia dhe një tjetër nga Franca.
Varga ka thënë se shitja e Krasniqit do të bëhet për shumën e pesë milionë eurove.
“Kemi tre oferta për Krasniqin për momentin. Një nga Franca, një tjetër nga Gjermania dhe një tjetër nga Italia”.
“Ai do të ik për 99 përqind për një shumë mbi pesë milionë euro. Negociatat janë avancuar, ai është një lojtar shumë i mirë”, ka thënë Varga për mediumin rumun iaspor.ro.
Ballkani fërkon duart, ka ruajtur përqindje nga shitja e ardhshme
Ballkani po pret me shumë vëmendje të ardhmen e Ermal Krasniqit, pasi klubit kosovar i intereson të shitet ish-sulmuesi i tyre sa më lartë.
Suharekasit e kishin shitur në janar Krasniqin për 200 mijë euro, derisa 100 mijë të tjera i kishin bonuse nëse Cluj do të futet në grupet e Ligës së Kampionëve, Ligës së Evropës apo Ligës së Konferencës.
Megjithatë një gjë e tillë nuk ndodhi pasi Cluj nuk arriti të siguronte grupet në garat evropiane duke i humbur 100 euro bonuse Ballkanit.
Por klubi suharekas pritet të fitojë shumë më shumë nga shitja e Ermal Krasniqit, pasi kishte ruajtur 15 për qind të kartonit.
Në rast se Krasniqi shitet pesë milionë euro ashtu siç po pretendojnë te Cluj, në arkat e kampionit në fuqi të Kosovës do të shkojnë 750 mijë euro, një shumë e konsiderueshme e cila do të ishte një infuzion për suharekasit.
24-vjeçari ka zhvilluar 30 ndeshje me Clujin, ku ka shënuar pesë gola dhe ka asistuar në tre të tjerë. /Telegrafi/