Telegrafi

Balaj: Të arrestuarit nuk janë në marrëdhënie pune me Telekomin tash e një vit – Prokuroria të mos ndalet sepse ka ende kontrata të dëmshme

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj ka thënë se arrestimet e sotme kanë ndodhur jashtë objektit të Telekomit të Kosovës.

Ai po ashtu tha se të arrestuarit nuk janë në marrëdhënie pune me Telekomin e Kosovës tash e më shumë se një vit.

“Nuk kanë ndodh arrestimet brenda Telekomit. Prej medieve kam kuptuar që është fjala për dy zyrtarët e lartë të Telekomit, të cilët ka mbi një vit, apo një vit e gjysmë që nuk kanë marrëdhënie pune me Telekomin e Kosovës. Për dy të tjerët nuk kam informacione”, tha ai para medieve.

Lexo po ashtu Arrestohen katër ish-zyrtarë të Telekomit të Kosovës për keqpërdorim të pozitës zyrtare

“Ne si sindikatë përkrahim fuqishëm një aksion të tillë, ka qenë momenti i fundit që Prokuroria e Shtetit të mos ndalet duke i hetuar njerëzit që i kanë shkaktuar dëme Telekomit të Kosovës”, u shpreh ai.

Ai tha se ka kontrata të tjera të dëmshme që i kanë shkaktuar shumë dëme Telekomit të Kosovës dhe se i bëjnë thirrje organeve të drejtësisë që të mos ndalen.

Ndryshe, Policia e Kosovës, me urdhëresë të Gjykatës sot ka realizuar një operacion policor, i cili ka rezultuar me arrestimin e katër personave të dyshuar, mbi dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Operacioni policor është realizuar në rajonin e Prishtinës.

“Sot më 30 mars 2021, Policia e Kosovës, me urdhëresë të Gjykatës kompetente ka realizuar një operacion policor, i cili ka rezultuar me arrestimin e katër personave të dyshuar, mbi dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Operacioni policor është realizuar në rajonin e Prishtinës, ku pas kompletimit të rastit do të jepen informacione shtesë”, tha për Telegrafin Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës.

Telegrafi mëson se aksioni ka ndodhur në Telekomin e Kosovës, ndërsa të arrestuarit dyshohen për keqpërdorim të një kontrate të marketingut. /Telegrafi/