Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj ka thënë se arrestimet e sotme kanë ndodhur jashtë objektit të Telekomit të Kosovës.
Ai po ashtu tha se të arrestuarit nuk janë në marrëdhënie pune me Telekomin e Kosovës tash e më shumë se një vit.
“Nuk kanë ndodh arrestimet brenda Telekomit. Prej medieve kam kuptuar që është fjala për dy zyrtarët e lartë të Telekomit, të cilët ka mbi një vit, apo një vit e gjysmë që nuk kanë marrëdhënie pune me Telekomin e Kosovës. Për dy të tjerët nuk kam informacione”, tha ai para medieve.
“Ne si sindikatë përkrahim fuqishëm një aksion të tillë, ka qenë momenti i fundit që Prokuroria e Shtetit të mos ndalet duke i hetuar njerëzit që i kanë shkaktuar dëme Telekomit të Kosovës”, u shpreh ai.
Ai tha se ka kontrata të tjera të dëmshme që i kanë shkaktuar shumë dëme Telekomit të Kosovës dhe se i bëjnë thirrje organeve të drejtësisë që të mos ndalen.
Ndryshe, Policia e Kosovës, me urdhëresë të Gjykatës sot ka realizuar një operacion policor, i cili ka rezultuar me arrestimin e katër personave të dyshuar, mbi dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Operacioni policor është realizuar në rajonin e Prishtinës.
“Sot më 30 mars 2021, Policia e Kosovës, me urdhëresë të Gjykatës kompetente ka realizuar një operacion policor, i cili ka rezultuar me arrestimin e katër personave të dyshuar, mbi dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Operacioni policor është realizuar në rajonin e Prishtinës, ku pas kompletimit të rastit do të jepen informacione shtesë”, tha për Telegrafin Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës.
Telegrafi mëson se aksioni ka ndodhur në Telekomin e Kosovës, ndërsa të arrestuarit dyshohen për keqpërdorim të një kontrate të marketingut. /Telegrafi/