Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, ka prezantuar punën 100 ditëshe të ministrisë që ajo udhëheq.
Bajrami ka thënë se kjo periudhë ka qenë e vështirë për ministrat e LDK-së, pas votimit të mocionit të mosbesimit, transmeton Telegrafi.
“Për ne si ministra të LDK-së, ka qenë periudhë e vështire pas mocionit të mosbesimit. Ju të gjithë e dini se pasi ka rënë Qeveria ne kemi kërku nga partia të lirohem nga këto pozita, mirëpo na është kërku nga kryetari Isa Mustafa, që ne në kohë pandemie të vazhdojmë punën aty ku jemi, dhe të mos bëjmë politikë. Jemi munduar të japim maksimumin”, ka thënë ajo.
Bajrami ka reaguar edhe ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke thënë se nuk mund të konsiderohen ministra të suksesshëm dhe në të njëjtën kohë anëtarë të partisë së regjimit të vjetër.
“Nuk mendoj se mund të konsiderohemi të suksesshëm nëse sipas jush i takojmë regjimit e një partie politike që qenka në mbrojte e së keqes e korrupsionit, na lejoni që të vazhdojmë punën siç e kemi bërë dhe të punojmë sipas ligjit, ashtu si kemi bërë nga dita e parë”, ka deklaruar ajo.
Në mbledhjen e Qeverisë, të gjithë ministrat do të prezantojnë punën e tyre. Ndërsa në fillim të mbledhjes, kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se gjatë kësaj periudhe kanë marrë vendime e kanë vepruar për të luftuar korrupsionin./Telegrafi/