Telegrafi

Bajrami në Tiranë, kërkon të hiqen barrierat teknike për bizneset e Kosovës

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, thotë se shkëmbimet tregtare me Shqipërinë kanë pasur rritje, me gjithë pengesat teknike që u janë shkaktuar bizneseve kosovare nga pala shqiptare.
Këto shqetësime, Bajrami i ka udhëheqësve të Shqipërisë gjatë vizitës në Tiranë.

“Ministrja Bajrami, gjatë takimeve të delegacionit kosovar me krerët më të lartë shtetëror të Republikës së Shqipërisë si dhe në takimin bilateral me homologun e saj Ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes të Shqipërisë z. Arben Ahmetaj potencoi se shkëmbimet tregtare në mes të Kosovës dhe Shqipërinë janë rrituar dukshëm vitet e fundit, porse ekziston një disbalanc tregtar në mes të dyja vendeve.

Ajo shprehu shqetësimin e saj që rritja e ngadalshme e eksportit kosovar për Shqipëri mund të jetë ndikuar, përveç tjerash edhe nga barrierat teknike me të cilat po përballen disa kompani kosovare, të cilat si pasojë e këtyre barrierave jotarifore e byrokratike po u pamundësohet eksporti në Shqipëri.

Me këtë rast, Ministrja Bajrami u bëri thirrje autoriteteve shqiptare që të zbatojnë plotësisht marrëveshjet për lehtësim të tregtisë dhe marrëveshjet e tjera të nënshkruara në mes të dy qeverive, në mënyrë që të eliminohen të gjitha barrierat tregtare dhe të intensifikohet bashkëpunimin ekonomik e tregtar në mes të dy vendeve.

Krerët më të lartë të Republikës së Shqipërisë, presidenti Nishani, kryeparlamentari Meta, kryeministri Rama dhe ministrat e linjës Ahmetaj e Panariti shprehën zotimin e tyre serioz për zgjidhjen sa më të shpejtë të të gjitha çështjeve të ngritura dhe për këtë të dy delegacionet u dakorduan për një plan veprimi me afate të caktuara kohore”, thuhet në kumtesën e MTI-së.