Site icon Telegrafi

Bajralija i drejtohet Bajramit: Nuk e kuptoj opozitë-bërjen tuaj, më mirë të mbahej seancë për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arta Bajralija, tha se nuk e kupton thirrjen e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit nga ana e LDK-së “për numrin e madh të kontratave njëburimore të nënshkruara gjatë mandatit të Qeverisë Kurti”.

Në seancën e Kuvendit të enjten, Bajralija duke iu drejtuar deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami, u shpreh se më mirë do të ishte që të mbahej seancë e rregullt për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Lexo po ashtu Bajrami: Qeveria Kurti nënshkroi mbi 1 mijë e 800 kontrata njëburimore në vlerë 240 milionë euro

“Se kuptoj se ku është relevanca e kësaj seance dhe e opozitë-bërjes tuaj. Në vend se të kemi seancë të rregullt ku i votojmë marrëveshjet ndërkombëtare që po presim mbi një vit për t’u votuar, ligjin dhe çështjet e tjera, ju e keni hallin te kauzat false që po mundoheni t’i ndërtoni e që për fat të mirë nuk po ju funksionojnë”, deklaroi deputetja e LVV-së.

Ajo tutje tha se kontratat njëburimore janë të parapara në Ligjin për Prokurorimin Publik, i cili është miratuar në vitin 2011.

“Në këtë ligj parashihen mënyrat dhe procedurat se kur një institucion mund t’i përdorë këto procedura për të lidhur një marrëveshje dhe jemi duke folur për një ligj që është miratuar në vitin 2011. Për çdo vit, nga secili institucion, komunë e ndërmarrje publike janë përdorur këto procedura”, u shpreh Bajralija. /Telegrafi/

Exit mobile version