Site icon Telegrafi

Bajqinovci pas emërimeve të reja në AKI: Këto vendime do të zhvlerësohen me ardhjen e qeverisë Kurti

Foto: Arkiv

Mefail Bajqinovci, i cili pritet të jetë deputet në Kuvendin e Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, ka reaguar pas emërimit të Kreshnik Gashit në pozitën e shefit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë dhe Burim Ramadanit në pozitën e Inspektorit të Përgjithshëm të AKI-së.

Bajqinovci ka thënë se kapja e institucioneve të sigurisë po vazhdon dhe se PDK dhe AAK po i kapin brutalisht dy institucionet e sigurisë siç janë AKI dhe Inspektoriati i AKI-së, duke i emëruar eksponentët e vet në pozita kyçe, transmeton Telegrafi.

Në shkrimin e bërë në Facebook, Bajqinovci ka thënë se ish-sekretari i MPJ-së, Kreshnik Gashi, në kohën kur Hashim Thaçi ishte ministër i Jashtëm u emërua drejtor i AKI-së, kurse Burim Ramadani zyrtar i AAK-së emërohet kryeinspektor i AKI-së.

Tutje ai ka thënë se kapja e institucioneve me njerëz partiak po vazhdon, dhe se këto vendime do të zhvlerësohen me ardhjen e Qeverisë Kurti.

Ndryshe, gjatë ditës së sotme, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj kanë njoftuar për emërimet e reja që kanë bërë në Agjencinë Kosovare të Inteligjencës.

Kreshnik Gashi do të jetë shef i AKI-së, kurse Burim Ramadani  do të jetë Inspektor i Përgjithshëm i AKI-së./Telegrafi/

Exit mobile version