Site icon Telegrafi

Bajqinovci: Kryeministri nuk ka nxitur frikë, por ka ngjallur vetëdijesim

Intervista e djeshme e kryeministrit Albin Kurti dhënë për të përditshmen italiane “La Repubblica”, i cili vuri në pah rrezikun e luftës në Kosovë, si pasojë e ndikimit të madh të Rusisë mbi Serbinë ka ngjallur reagime të shumta.

Duke reaguar ndaj kësaj deklarate, partitë opozitare në vend kanë kërkuar që të mos ndillet frikë dhe panik.

Ndërkaq, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka thënë se kryeministri Kurti në këtë intervistë vetëm ka treguar se ekziston një rrezik potencial.

Lexo po ashtu Sopjani e quan të ngutshme dhe të pamenduar deklaratën e Kurtit për luftë

“Kryeministri nuk ka nxitur frikë, por ka ngjallur vetëdije. Kjo është e argumentuar me vite të tëra, duke ditur se Ballkani është nën hemisferën ruse, sidomos Serbia dhe disa shtete përreth. Pa dyshim të thuhet se nuk ka rrezik nga Serbia është papërgjegjshmëri. Gjithmonë ka rrezik nga Serbia. Ne po e shohim edhe armatosjen e madhe në Ballkan që po ndodh”.

“Ne i kemi shpesh edhe deklaratat e liderëve kroatë. Ata janë në NATO dhe thonë gjithmonë se nuk na mbron vetëm NATO, por duhet të armatosemi vetë dhe t’i qëndrojmë përballë një armiku siç e kanë edhe ne edhe kroatët, e që është Serbia”, ka theksuar Bajqinovci në “RTK Prime”.

Sipas tij, Kosova tashmë ka filluar të armatoset, duke pasur parasysh situatën e përgjithshme.

“E kemi rritur buxhetin për ushtrinë për 52 përqind edhe pse prapë nuk është i bollshëm. Edhe po të ishte buxheti 5 miliardë apo 10 miliardë kryeministri Kurti do ta shpenzonte maksimalisht sidomos në blerjen e pajisjeve ushtarake, duke ditur se situata e sigurisë nuk është sikurse para një viti”.

“Nuk dua të marrë paralele, por duhet ta kemi parasysh se lufta në Ukrainë i ka ndryshuar matematikat e sigurisë”, ka shtuar Bajqinovci.

Ai ka thënë se 60 për qind e arsenalit ushtarak të Serbisë është rreth kufirit me Kosovën.

Exit mobile version