Telegrafi

Bahtiri: Problemi është te LDK-ja që nuk po bisedon me VV-në!

Agim Bahtiri thotë se partia e tij, Aleanca Kosova e Re, nuk do të presin deri në pafundësi Lidhjen Demokratike të Kosovës e cila, sipas tij, “për shkak të tekeve personale po mohon krijimin e institucioneve të vendit”.

“Pas të gjitha bisedave që kam pas, problemi është te Lidhja Demokratike e Kosovës në krye me Isa Mustafën, e cila nuk po rezulton pozitiv në formimin e këtij grupi pune për të mirën e vendit”, tha Bahtiri për RTV21.

“LDK-ja nuk dëshiron të bisedojë me Albin Kurtin, me VV-në dhe kjo është e papranueshme. Është shumë e papranueshme dhe kjo është ajo për të cilën unë e ftoj edhe sot LDK-në që të afrohet me Albinin”, theksoi ai. “Ne si AKR kemi qenë besnik ndaj koalicionit tonë por nuk mund të jemi përgjithmonë të varur nga dikush i cili i ka teket e veta. Ju kemi dhënë afat 10 ditë. Nëse nuk reagojnë, atëherë ne si parti do të ulemi të bisedojmë dhe do të marrim një vendim të përbashkët”, tha Bahtiri.