Telegrafi

Babë e djalë i bashkohen Vetëvendosjes, Kurti thotë se ata moti kanë punuar drejt zhvillimit të vendit

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka njoftuar së në partinë e tij kanë aderuar Skënder e Laurat Mulliqi.

Kurti ka thënë se Skënder Mulliqi punon si gazetar, publicist dhe analist politik, transmeton Telegrafi.

“Skënder e Laurat Mulliqi, babë e djalë, nga sot janë anëtarë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Skënderi ka qenë gazetar në TVP gjatë viteve të ‘80-ta e ‘90-ta, tani punon si gazetar, por edhe si publicist e analist politik. Ai i ka të botuar tre libra e po ashtu është recensent i disa librave të autorëve të ndryshëm”, ka shkruar ai në Facebook.

Tutje, ai ka foluar edhe për profesionin e Laurat Mulliqit.

“Ndërsa Laurati ka përfunduar fakultetin në Pejë në degën ‘Administrim Biznesi’, dhe është duke vazhduar studimet në Shqipëri në nivelin master në degën ‘Ekonomi Biznesi’. Laurati është themelues i kompanisë ‘Tomato AL 2014’, dhe ka mbi 100 punëtorë dhe mbi 1500 fermerë të kontraktuar. Kompania e tij eksporton më shumë se 1000 maune në vit, apo 2000 tonë, të frutave e perimeve të ndryshme nga e gjithë Shqipëria”.

Në fund, kreu i LVV-së thotë se “Skënderi e Laurati moti kanë punuar drejt zhvillimit të vendit tonë, por nga tash këtë rrugëtim do ta vazhdojnë me krejt neve”./ Telegrafi/