Më 25 shtator, baballarët e dy vajzave në Pejë kanë njoftuar Policinë e Kosovës se ato nuk janë kthyer më, pas largimit nga shtëpia.
Babai i njërës nga vajzat e zhdukura, Salih Berisha, nga fshati Qyshk i Pejës, ka thënë se dyshimet e tyre që i kanë pasur i kanë paraqitur në stacionin policor, por si prind ai është shprehur i shqetësuar nga rastet e fundit në Kosovë, dhe sipas tij, vajzave të zhdukur tashmë qe pesë ditë mund të u ketë ndodhur diçka e frikshme.
“Është një skenar më i tmerrshëm që mund t’iu ketë ndodhur, skenari mundet me qenë se ato mund të jenë të gjuajtura diku dhe të vdekura. Bazohem në rastet e fundit sepse nuk asgjë, pasi ua kemi lënë policisë në dorë, pro po them si prind se ka mundur t’iu ndodhë diçka e frikshme deri te vdekja e tyre”, është shprehur Berisha.
Po ashtu, ai për RTV Dukagjinin në emisionin FIVE ka thënë se me prindin e vajzës tjetër në fjalë, kur kanë raportuar rastin në polici, kanë pyetur zyrtarët policorë se mos kanë informata nëse deri në atë kohë dy vajzat i kanë lëshuar kufijtë e Kosovës.
Por, sipas tij, zyrtarët e policisë i kanë thënë se nuk kanë mundësi të u jepet një informacion i tillë, dhe se këtë informacion e ka kufiri që është me Rrozhajën.
Ndërsa, Berisha ka treguar se së bashku me prindin e vajzës tjetër, kanë shkuar deri te Rozhaja, dhe kanë takuar zyrtarët e policisë që kanë qenë aty, duke iu treguar ngjarjen për vajzat se nuk e dinë se ku janë.
“I kam pyetur se mos dy vajzat i kanë lëshuar kufijtë e Kosovës, ata kanë thënë se zyrtarisht nuk i kanë lëshuar kufijtë e Kosovës”, është shprehur Berisha.
“Nuk kemi pasur kontakt me vajzën e kemi pritur të vijë ne shtëpi në ora katër, por nuk ka ardhur në ora 00:00 e kemi thirrur policinë në Pejë, ja kam treguar rastin që ka pasur të kthehet vajza në ora 16:00 pas fakultetit, më kanë thënë se duhet të vish në stacion policor. Më pas atje ua kam rrëfyer ngjarjen dhe i kanë marr të dhënat”, ka thënë tutje ai.
Gjithashtu, ai ka thënë se kurrë nuk kanë pasur probleme me ndokënd dhe sipas tij, asnjë rast nuk e kanë në polici. /RTVDukagjini/