Telegrafi

Avokati i Popullit pranon 45 ankesa kundër Ligjit të ri të pagave, dominojnë ato kolektive

Disa prej punonjësve të sektorit publik kanë shprehur pakënaqësitë e tyre pas marrjes së pagave në fillim të muajit mars me Ligjin e ri për Pagat. E për shkak të  pakënaqësive shumë sindikata dhe institucione kanë dërguar ankesa tek Institucioni i Avokatit të Popullit.

Ky institucion deri më sot ka pranuar 45 ankesa kundër këtij ligji.

Kështu bëri të ditur në një prononcim për Telegrafin zëdhënësi i Institucionit të Avokatit të Popullit, Petrit Çollaku.

Sipas tij, kryesisht dominojnë ankesat kolektive.

“45 ankesa kanë ardhur deri më tash. Ankesat kolektive kryesisht dominojnë”, ka thënë Çollaku për Telegrafin.

Ndërkaq, ditë më parë nga Institucioni i Avokatit të Popullit kishin thënë për Telegrafin se ankesat janë nga sektorë të ndryshëm, si nga: Këshilli Prokurorial i Kosovës, auditorë të brendshëm, zyrtarët komunal të arsimit të Komunës së Prizrenit, Shoqata sindikale e shërbimit sprovues të Kosovës, Instituti Kosovar i Drejtësisë (IKD), infermierët, mjekët që punojnë në Ministrinë e Shëndetësisë, laborantë të lartë mjekësor, Oda e Fizioterapeutëve të Kosovës, sindikata e Policisë së Kosovës, Komisioni Qendror Zgjedhor, Qendra për pajisje të dokumenteve, Shoqata e Instrumentarëve të Kosovës, Komisioni i Pavarur i Mediave, Zyra e Rregullatorit të Energjisë, Ekspertët në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit, etj.

Ndryshe, në muajin shkurt, Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet në Ligjin për ndarjet buxhetore, në të cilin parashihej që vlera e koeficientit të jetë 105 euro.

Sipas Kushtetutës dhe Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, tashmë inicimi i rastit në Gjykatën Kushtetuese mund të bëhet vetëm përmes Avokatit të Popullit dhe prej një bashkësie deputetësh prej 30, brenda periudhës kohore prej 6 muajve që nga hyrja e ligjit në fuqi. /Telegrafi/