Site icon Telegrafi

Avokati Halimi: Biznesmeni Muharremi ishte angazhuar nga Rozeta Hajdari për blerjen e rezervave shtetërore

Gjykata Themelore në Prishtinë të shtunën u ka caktuar nga një muaj paraburgim tre të dyshuarve për keqpërdorim me rezervat shtetërore në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Gjyqtarja e Procedurës Paraprake e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurit Irfan Lipovica, Hafiz Gara dhe Ridvan Muharremi.

Ndërsa, caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh e kanë kundërshtuar mbrojtja e tre të dyshuarve.

Avokati i Irfan Lipovicës, Durim Osmani, theksoi se tre të dyshuarit janë të pafajshëm. Por, shtoi se drejtësia nuk bëhet tek mediat e portalet, dhe as në studio televizive.

Lexo po ashtu Konfirmon avokati Halimi: Biznesmeni Muharremi ishte përfshirë në blerjen e grurit nga Turqia

“Këtu nuk ka vepër penale, drejtësia nuk bëhet tek portalet, nuk bëhet nëpër studio televizive. Drejtësia bëhet me njerëz që kryejnë shkollë e që kanë përvojë të madhe në cilësinë e prokurorit edhe gjyqtarit. Këta tre persona që janë sot duke pritë vendimin për caktim të paraburgimit janë të pafajshëm”, theksoi Osmani.

Ndërkaq, avokati i Ridvan Muharremit, Mahmut Halimi, e ka demantuar publikisht ministren e Tregtisë, Rozeta Hajdarin. Kjo pasi, Hajdari në një konferencë gjatë ditës së premtë kishte thënë se nuk ka asnjë informacion që Ridvan Muharremi është në kontraktim për kontrata rreth rezervave.

Halimi theksoi se Muharremi ka qenë i angazhuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, si dhe drejtpërdrejt nga vetë ministrja Hajdari.

Ai tha po ashtu se klienti I tij është i pa fajshëm dhe nuk ka bërë asnjë lloj krimi.

Lexo po ashtu Afera për rezervat shtetërore - një muaj paraburgim për tre të dyshuarit

“E ka angazhuar Ministria. Drejtpërdrejt ministrja Hajdari. E ka njohur si persona afarist, që ka një traditë jashtëzakonisht të gjatë, ka një rreth të gjerë të miqve të vetë afarist. Janë mysafir të cilët shkojnë në restorantin e tij. Ka një restorant modest ku shërbehen ushqime tradicionale. Sjellje e shkëlqyer, pritje, nuk ka shkuar vetëm kryeministri dhe ministrat, kanë shkuar plot ambasadorë të ambasadave që janë në Kosovë… Unë pres drejtësi dhe asgjë më shumë. Nëse respektohet drejtësia, klienti im as nuk ka ndihmuar askënd me kryer krim e as nuk ka kryer vetë krim”, ka thënë avokati Halimi, raporton KP.

Edhe avokati i Hafiz Garës, Bekim Kelani thekson se prokuroria nuk ka prova të bazuara për klientin e tij.

Ai tha se do ta apalejnë vendimin e Gjykatës në shkallën e dytë.

“Do ta apelojmë vendimin e gjykatës në shkallën e dytë. Gjatë seancën prokuroria në asnjë provë nuk mundi ta vërtetoi se klienti im ka kryer vepër penale, aq më pak se ka asnjë provë që mund të ekzistojë për të pendehurin tim”, theksoi ai.

Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës Policia e Kosovës – Njësia e Veçantë e Hetimeve, ka realizuar të premten bastisje në lokacione të ndryshme në Prishtinë, ku kanë arrestuar tre persona me inicialet Ridvan Muhamrremi, Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica.

Prokuroria Speciale ka njoftuar se tre personat e arrestuar, dyshohen për veprat ‘’Keqpërdorim i detyrës zyrtare’’, si dhe ‘’Dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare’’.

Ndërkaq, gjatë bastisjes janë siguruar dhe sekuestruar prova materiale të cilat do të përdoren për procedurë të mëtutjeshme hetimore.

Pas aksionit, dy zyrtarët e Ministrisë dhe biznesmeni u prangosën nën dyshimin për korrupsion dhe vepra tjera penale.

Ministrja Rozeta Hajdari ka thënë të premten se dy zyrtarët e MINT janë të pafajshëm dhe se nuk kanë bërë kurrfarë shkeljesh ligjore derisa ka akuzuar Policinë se ka marrë kundërligjshëm dokumentet e rezervës shtetërore, duke rrezikuar kështu sigurinë kombëtare.

Mirëpo, Gzim Shala, hulumtues i lartë në IKD, ka shpjeguar se në rastet kur bazuar në kushtet e përcaktuara me Kodin e Procedurës Penale gjykata lëshon urdhër për kontroll të shtëpisë apo personit, nuk është fare relevante fakti nëse provat e sekuestruara përmes të cilave synohet provimi i veprës penale janë ose jo të klasifikuara.

Lexo po ashtu Hajdari: Nuk shoh asnjë arsye për të dhënë dorëheqje

Në mbrëmjen e së premtes, Kryeministri Albin Kurti ka publikuar një video-mesazh, me të cilin ka akuzuar sistemin e drejtësisë së po tenton që të rikthejë në pushtet ish-kastën e kalbur politike. Ka thënë se Rozeta Hajdari nuk është shkelëse e ligjit dhe nuk ka korrupsion te rezervat shtetërore.

Gjuhë të njëjtë ka përdorur të shtunën edhe Ministri i Ekonomisë, Hekuran Murati, i cili ka thënë se sistemi i drejtësisë po synon ta rrëzojë Qeverinë Kurti me spektakle.

Edhe një deputet i Vetëvendosjes ka deklaruar se sistemi i drejtësisë po iu shërben opozitës dhe milionerëve.

Këshilli Prokurorial dhe as Këshilli Gjyqësor i Kosovës si dhe as Shoqata e Prokurorëve nuk kanë reaguar ndaj akuzave të pushtetit se janë bërë bashkë me opozitënpër ta rrëzuar Qeverinë. Nuk ka pasur reagim as nga u.d i Kryeprokurorit Besim Kelmendi.

Exit mobile version