Vazhdojnë deklaratat mes LDK-së dhe VV-së, për çështjen e koalicionit qeverisës.
Deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, po vazhdon të insistojë që në zgjedhjet e 6 tetorit nuk ka dalë asnjë parti fituese.
Përmes një shkrimi në Facebook, Haxhiu thotë se Vetëvendosje si e para ka të drejtë vetëm për mundësinë e krijimit të koalicionit që kërkon 61 vota në Kuvend.
“Nuk ka parti fituese, ka parti që ka dalë e para, e dyta e me radhë. Partia e parë ka vetëm të drejtën dhe mundësinë për krijimin e koalicionit qeverisës i votuar nga 61 deputetë ne Kuvend”, ka shkruar Avdyli në profilin e tij në Facebook.
Se VV ka dalë vetëm e para në zgjedhje dhe që nuk i ka fituar ato e ka thënë edhe ish-shefi i GP të LDK-së, Avullah Hoti, njofton Telegrafi.
Sipas Hotit nëse Vetëvendosje do t’i kishte fituar zgjedhjet nuk do të kishte pasur nevojë për votat e LDK-së për ta krijuar qeverinë.
Edhe pse pas takimeve të shpeshta LVV-LDK, ishte thënë se pas certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve do të bëhet marrëveshja mes dy partive, kjo gjë ende nuk ka ndodhur.
Ndërkaq, presidenti, Hashim Thaçi ka thënë se partia fituese duhet të fillojë me formimin e qeverisë.
Kreu i shtetit është zotuar se si presidentit i vendit do ta luaj rolin e tij për unifikimin e skenës politike.