Në Komisionin Parlamentar të Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë është diskutuar sot projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 72/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e Infrastrukturës komëbtare të informacionit gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë”.
Me shumicë votash u vendos që Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), institucioni përgjegjës për informacionin gjeohapësinor, do të kalojë në varësi të Kryeministrit Edi Rama.
Gjatë diskutimeve në komision, përfaqësuesit e institucionit të ASIG thanë se satelitët janë në përdorim vetëm nga Shqipëria dhe përdoren sa herë ata e shohin të arsyeshme.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve lidhur me ngjarjet kriminale, ku Policia gjen makina të djegura, por jo autorët, përfaqësuesit e institucionit tha se për monitorimin e territorit në Republikën e Shqipërisë, përdoren edhe dronë.
Deputetja e Partisë Demokratike (PD) Dhurata Çupi tha se kontrolli gjeohapësinor kalon nga sot në dorë vetëm të Kryeministrit.
Çupi tha se nuk u dha asnjë garanci për kontrollin e territorit, lidhur me ndërtimet pa leje, parcelat e drogës dhe lëvizjet e bandave që gjithmonë gjenden vetëm makinat e djegura.
“Nuk na u dha asnjë garanci mbi administrimin e të dhënave, rrezikun e privatësisë dhe saktësisë së të dhënave, pronësia e të dhënave dhe licencimin e subjekteve mbi përdorimin e këtyre të dhënave. Kuptuam që satelitet Albania 1 dhe Albania 2 nuk janë në pronësinë e Shqipërisë por në përdorim për 3 vite. Miliona euro që shkojnë kot për propagandën qeveritare”, tha Çupi. /Telegrafi/