Telegrafi

Autoritetet ukrainase thonë se gruri do të eksportohet përmes tre porteve detare

Një anëtar i delegacionit ukrainas në negociatat për eksportin e grurit thotë se tre porte ukrainase do të përfshihen në marrëveshjen për eksportimin e prodhimeve bujqësore përmes korridoreve të dakorduara në Detin e Zi.

“Eksportet do të bëhen përmes tre porteve: Odesa, Pivdenny, (Yuzhiy) dhe Chornomorsk”, tha parlamentari Rustem Umerov.

“Në të ardhmen shpresojmë se mund ta zgjerojmë edhe listën. Duhet të respektohen të gjitha rekomandimet e forcave detare, të forcave të armatosura. Ka korridore të sigurta, rrugë që kemi zhvilluar së bashku me ushtrinë dhe të gjitha anijet civile do të shkojnë përmes këtyre rrugëve. Ne do t’u shesim grurë të gjithëve. Dhe të gjitha anijet që ndjekin këto udhëzime mund të vijnë tek ne”, tha Umerov.

Detajet e plota të porteve dhe kanaleve të sigurta për transportin tregtar do të njoftohen në Stamboll, raporton cnn.

Ndërkohë Ministria e Infrastrukturës së Ukrainës tha se delegacioni i kryesuar nga ministri Oleksandr Kubrakov kishte arritur tani në Stamboll.

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergey Shoigu do të marrë pjesë në nënshkrimin e një marrëveshjeje për lehtësimin e eksportit të grurit.

Ndryshe, Ukraina do të përfaqësohet nga ministri i infrastrukturës Oleksandr Kubrakov. /Telegrafi/