Site icon Telegrafi

Autoritetet ukrainase publikojnë pamjet që tregojnë pasojat e tmerrshme të granatimeve në Chernihiv

Shërbimi shtetëror i komunikimit i Ukrainës ka raportuar shpërthime të forta në kryeqytetin Kiev dhe qytetin e dytë Kharkiv, ndërsa luftimet për qytetet kryesore vazhduan edhe gjatë natës.

Ndërkohë, siç raportojnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, një raketë ka goditur një ndërtesë banimi në qytetin Chernihiv në Ukrainën veriore.

Si pasojë, dy nga katet e poshtme të ndërtesës janë përfshirë nga flakët.

Alarmet për sulm ajror u dëgjuan më herët gjatë natës në Chernihiv, duke i dërguar banorët në strehimore.

E Shërbimi Shtetëror i Ukrainës për Emergjencat ka publikuar disa pamje në të cilat tregohen pasojat e granatimeve në Chernihiv.

“Ky është Chernihiv sot. Pasojat e granatimeve të pushtuesve rusë. Njësitë e SES po punojnë në vendngjarje”, thuhet në përshkrimin e pamjeve.

Ndryshe, delegacioni ukrainas ka mbërritur në zonën në kufirin ukrainas-bjellorusi për bisedime me Rusinë dhe tanimë bisedimet kanë filluar.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky nuk është pjesë e delegacionit.

Bjellorusia ka thënë më herët se ka përgatitur një vend për të pritur delegacionet ukrainase dhe ruse, pasi agresioni i Moskës ndaj fqinjit të saj perëndimor gjendet në ditën e pestë. /Telegrafi/

Exit mobile version