Site icon Telegrafi

“Automatizimi i Marketingut Digjital”, Bes Bujupi nga Rapid Images: Kosova ka shumë njerëz kreativ

Javën e kaluar u mbajt konferenca më e madhe në vend e Marketingut Digjital në Kosovë, Growth Tank e cila solli folës nga kompanitë më prestigjioze amerikane dhe evropiane. E njëri ndër ta i cili foli para audiencës së kësaj konference ishte dhe drejtori i Rapid Images, Bes Bujupi.

Bujupi në një intervistë për Telegrafin foli për përvojën e tij në këtë konferencë, por edhe për projektet e kompanisë së tij si dhe bashkëpunimet me kompanitë e tjera.

Ai tha se për të ishte hera e parë që merrte pjesë në konferencën e GrowthTank, duke treguar po ashtu edhe emocionet që i përjetoi gjatë prezantimit.

“Para disa ditëve isha këtu në GrowthTank, është hera e parë që prezantoj në këtë konferencë të Marketingut Digjital në Kosovë. Ishte emocion shumë i mirë. Mund të them që është njëri prej emocioneve më të mira që kam pas në prezantime…por, kjo kishte një lidhje më emocionale për mua me popullin tim. Ka pas shumë studentë, ka pas shumë komunitete të biznesit, lokal dhe internacional. Edhe ka pas shumë panelistë të mirë. Normal, kemi diskutu, kemi fol për marketing, për inteligjencën artificiale”, tha ai.

Bes Bujupi, drejtori i Rapid Images

Bujupi theksoi se qëllimi i tij është që ta automatizojnë punën e Marketingut Digjital.

Lexo po ashtu Konferenca më e madhe në vend “Growth Tank”, Kolenovic: Qëllimi është, ngritja e Marketingut Digjital në nivel tjetër

“Domethënë, çka është automatizimi? Është që të të krijojmë mundësi që brendet internacionale, të krijojnë kontent shumë më shpejt, më të saktë, më të përputhshëm me audiencat e tyre, edhe me qenë shumë ma direkt me klientët e vet”.

Ai gjithashtu tregoi se në Kosovë ka bashkëpunime me shumë kompani të ndryshme.

“Kam bashkëpunime me disa njerëz në Kosovë, normal me kompani të ndryshme. Por, një që e kemi është edhe Ramë Lahaj, që unë edhe më vëllai, Bledi, e kemi kriju klipin e tij të parë, domethënë zyrtar, që thjesht është edhe një himn për Kosovën momentalisht. Ai ka qenë një projekt shumë i mirë për ne dhe që ka domethënë të madhe. Përndryshe, në anën profesionale punoj edhe me kompani të ndryshme si Kinern Karta, Pulla, Republika, normal edhe disa të tjera”.

Lexo po ashtu “Sezoni festiv në marketing" - si kompanitë në Kosovë po planifikojnë strategjitë e tyre – Gjirafa, Telegrafi e Hallakate tregojnë shërbimet që ofrojnë

Drejtori i Rapid Images tha se  pas COVID-it, klientët janë më të frikësuar për të shpenzuar.

“..Çdo vit domethënë i ka ato mundimet e veta, sidomos pas COVID-it. Jemi në një situatë shumë interesante globale momentalisht me ekonominë. Klientët janë shumë të frikësum me shpenzu normal, që po shihet edhe efekti..”

Por, sipas Bujupit Kosova ka shumë njerëz kreativ. “Normal, me pak krijojnë krijojnë shumë, janë të palodhshëm…”.

Ai po ashtu dha edhe një mesazh për rininë kosovare.

“Kisha thanë që sa më shumë me punu me veten, me lexu më shumë. E gjitha libraria, i gjithë njerëzimit është online. Është falas, është në Youtube, nëse nuk din diçka me bo, shiko një Youtube, nuk din me i bo, pastaj fillon me mësu një Youtube, domethënë gjithçka mundesh me mësu edhe vetë. Mos prit edhe diploma me t’i kry të gjitha sendet”, tha ndër të tjera Bujupi. /Telegrafi/

Exit mobile version