Australia miratoi të mërkurën planet për një “fushë masive me panele solare dhe baterish” që do të eksportonte energji në Singapor, një projekt i konsideruar si “zona më e madhe solare në botë”.
Autoritetet njoftuan miratimet mjedisore për projektin 24 miliardë dollarësh të SunCable në veriun e largët të Australisë, i cili është planifikuar të furnizojë me energji tre milionë shtëpi, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Projekti, i cili do të përfshijë një sërë panelesh, baterish dhe, përfundimisht, një kabllo që lidh Australinë me Singaporin, mbështetet nga miliarderi i teknologjisë dhe aktivisti i gjelbër Mike Cannon-Brookes.
“Do të jetë zona më e madhe solare në botë – dhe e bën Australinë si lider botëror në energjinë e gjelbër”, tha ministrja e Mjedisit, Tanya Plibersek.
Shpresohet që prodhimi i energjisë të fillojë në vitin 2030, duke siguruar katër gigavat energji për përdorim shtëpiak.
Dy gigavat të tjera do të dërgoheshin në Singapor përmes kabllove nënujore, duke furnizuar rreth 15 për qind të nevojave të qytetit-shtet.
Drejtori menaxhues i SunCable Australia, Cameron Garnsworthy tha se miratimi ishte “një moment historik në rrugën e projektit”.
Por, procese të shumta miratimi dhe pengesa të tjera mbeten pavarësisht dritës jeshile të së mërkurës.
Projekti varet nga nënshkrimet nga autoriteti i tregut të energjisë të Singaporit, qeveria e Indonezisë dhe komunitetet indigjene australiane. /Telegrafi/