Telegrafi

Austin e viziton Ukrainën për ta siguruar për mbështetjen amerikane kundër Rusisë

Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Lloyd Austin, ka mbërritur në Kiev të hënën në shenjë mbështetje për Ukrainën, pasi janë rritur shqetësimet se aleatët perëndimorë të Kievit, posaçërisht SHBA-ja – e cila është përkrahësi i tij më i madh ushtarak dhe financiar – janë “lodhur nga lufta”.

“Sapo mbërrita në Kiev për t’u takuar me liderët ukrainas”, shkroi Austin në rrjetin social X.

“Jam këtu sot për ta dhënë një mesazh të rëndësishëm – Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë përkrah Ukrainës në luftën e saj për liri kundër agresionit të Rusisë, tani dhe në të ardhmen”, shtoi Austin.

Kjo është vizita e dytë e Austinit në Ukrainë, i cili udhëtoi me tren drejt Kievit nga Polonia.

Uashingtoni i ka dhuruar Ukrainës ndihma ushtarake dhe të tjera në vlerë dhjetëra miliarda dollarë prej se Rusia e nisi pushtimin e saj të paprovokuar në shkurt 2022. /rel/