Site icon Telegrafi

Auditori evidenton probleme në Aeroportin e Prishtinës

Pas dhënies me koncesion të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, përgjegjës të institucioneve të vendit e lëvduan me të madhe kontratën e nënshkruar, por janë vetë institucionet e vendit ato që s’iu kanë dalë në krye përgjegjësive të veta.

Në një raport disa faqesh, i publikuar nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, janë nxjerrë një numër i madh problemesh, të cilat po vazhdojnë të jenë evidente, pavarësisht se kanë kaluar disa vite nga nënshkrimi i kontratës koncesionare, raporton KTV.

Raporti ka konstatuar se terminali i ri nuk është pajisur me leje ndërtimi dhe për këtë fajtore e ka vënë Qeverinë, që nuk ka marrë veprime për kryerjen e këtij procesi.

Sipas raportit, koncesionari ka bërë kërkesën për lejen e ndërtimit, por ajo ende nuk i është lëshuar dhe për shkak të saj, ka mungesë të certifikatës për përdorimin e objektit, leje të cilat është dashur t’i lëshojë Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

KTV-ja ka kërkuar përgjigje nga kjo Ministri, mirëpo zyrtarë të saj kanë kërkuar kohë për kthim të përgjigjes në lidhje me këtë çështje.

Raporti gjithashtu ka thënë se Qeveria nuk e ka përmbushur në tërësi zotimin e saj për dhënien e plotë të pronës në shfrytëzim Partnerit Privat për ndërtimin e Terminalit të ri, për shkak të mosarritjes së marrëveshjes me KFOR-in, transmeton Koha.net.

Kjo ka bërë që plani të mos kryhet në tërësi, kurse këto pengesa kishin dalë një vit e gjysmë pas nënshkrimit të kontratës.

Exit mobile version