Telegrafi

Audi ka gati edhe dy modele të reja hibride

Kompania Audi, përveç konceptit Prologue Allroad, për panairin e veturave i cili do të mbahet javën e ardhshme në Shanghai, ka përgatitur edhe modele të reja hibride të cilat janë të destinuara vetëm për në kontinentin e Azisë.

Modeli A6 L e-tron, versioni i sedanit A6 plug-in hibrid, është i dedikuar vetëm për tregun kinez.

Audi A6 L e-tron për lëvizje përdor motorin me benzinë 2.0-litër TFSI dhe motorin elektrik me kapacitet prej 122 kuaj fuqi, transmeton Koha.net. Po ashtu posedon baterinë litium-jon prej 14.1 kWh dhe marshin Tiptronic, si dhe fuqia e kombinuar e këtij modeli është me kapacitet prej 245 kuaj fuqi.

Sipas të dhënave nga fabrika, ky model shpenzon karburant mesatarisht 2.2-litra në 100 kilometra dhe emeton dyoksid të karbonit rreth 52 gramë në një kilometër. Është e mundur vozitja edhe vetëm me motorin elektrik, me të cilin mund të udhëtohet deri në 50 km, ndërsa autonomia totale e këtij modeli është rreth 880 km.

Ky model peshon më shumë se dy tonë, ndërsa sipas të dhënave nga fabrika, shpejtësinë nga 0 deri në 100 km në orë e arrin për 8,4 sekonda, e shpejtësia maksimale është e kufizuar deri në 210 km/h.

Shitja e Audi A6 L e-tron në Kinë pritet të fillojë gjatë vitit të ardhshëm dhe për prodhimin e këtij modeli do të kujdeset kompania FAW-Volkswagen, e cila gjendet në Kinë.

Në panairin e veturave në Shanghai gjithashtu do të prezantohet edhe modeli i dytë, pra Audi Q7 e-tron 2.0 TFSI Quattro, version plug-in hibrid i Q7-shit të ri, i cili kombinon motorin benzinë me motorin elektrik.

Q7 i tillë është përgatitur në mënyrë të veçantë për tregun kinez (Kinë, Singapur dhe Japoni), ndërsa sistemi hibrid për lëvizje përbëhet nga motori Turbo benzinë 2.0-litër TFSI, 4-cilindërsh, motori elektrik me 94 kW dhe 128 kuaj fuqi. Po ashtu posedon baterinë litium-jon prej 17.3 kWh, sistemin për lëvizje në të gjitha rrotat (4×4) dhe marshin Tiptronic me 8 shpejtësi.

Fuqia e kombinuar përfshinë rreth 367 kuaj fuqi, ndërsa shpejtësinë prej 0 deri në 100 km/h ky model e arrin për 5,9 sekonda, e shpejtësinë maksimale deri në 220 km/h, transmeton Koha.net. Sipas të dhënave nga fabrika modeli shpenzon karburant mesatarisht 2.5-litra në 100 km, ndërsa emeton dyoksid të karbonit më pak se 60 gramë në një kilometër.

Autonomia totale e këtij modeli është rreth 1020 km, dhe ky model mund të udhëtojë deri në 53 km vetëm me motorin elektrik.

Audi Q7 e-tron 2.0 TFSI Quattro karakterizohet me maskën e modifikuar, rrotat prej alumini me diametër prej 19-inç (me opsion edhe prej 20-inç), difuzer të pasmë, kabinën virtuale të Audi-së, sistemin MMI, kondicionerit automatik për klimë, ekranin Head-up, xhamat e prapme të errët, çatinë panoramike, ulëset me masazh.

Audi Q7 e-tron 2.0 TFSI Quattro për shitje në tregun aziatik pritet të dalë në fillim të vitit të ardhshëm.