Telegrafi

Audi gjobitet me 200 mijë euro për aksidentin e shkaktuar

Audi është gjobitur me 200 mijë euro dhe shefit të motosportit të kësaj kompanie i janë ndaluar vizitat në garazhe në serinë DTM (German Touring Cars) deri në fund të stinorit, pasi ai kishte urdhëruar garuesin Timo Scheider të shkaktonte një aksident. Vendimin e ka bërë të ditur të mërkurën Gjykata e Federatës Gjermane e Motosporteve.

Scheider, që duhet të pushojë në garën e ardhshme të serisë në Rusi, ishte urdhëruar nga kreu Wolfgant Ullrich gjatë garës në Spielberg që të shtynte rivalin nga skuderia Mercedes jashtë shtegut, gjë që bëri që të dy veturat të përfundonin jashtë garës, shkruan sot Koha Ditore.

“Timo shtyje atë jashtë”, u dëgjua Ullrich të urdhëronte. Gjykata ka vendosur që Ullrichun të mos e lejojë të përdorë audiolidhje të skuadrës dhe po ashtu Audi ka humbur 62 pikë që i kishte marrë në garën e fundit.

“Juria ka vendosur se Wolfgant Ullrich, në pozitën e shefit të motosportit të Audis, në garën e fundit të serisë DTM në Spielberg, kishte urdhëruar garuesin e Audis, Timo Scheider, që të shkaktojë aksident. Pasi që kjo sjellje dëmton imazhin e motosportit, është dashur të merret një vendim i ashpër”, është thënë në një komunikatë të gjykatës.