Ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi gjatë një vizite në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), ka bërë publik një numër ku mund të drejtohen qytetarët për të njoftuar lidhur me rritjen e çmimeve.
Ai ka kërkuar nga qytetarët të thërrasin ATK-në për të njoftuar për ndonjë keqpërdorim.
“0800 80 800 mund të telefonojnë dhe ATK-ja dërgon ekipin në vendin e ngjarjes dhe do të pësojnë dënime të mëdha”, ka kërkuar ai.
Zëdhënësja e ATK-së, Valentina Bytyqi-Sefa për Telegrafin ka thënë se, numri është funksional, por se janë duke u pranuar shumë thirrje dhe vazhdimisht kjo linje është e zënë.
“Linja është në funksion, por ka jashtëzakonisht thirrje dhe është vazhdimisht e zënë”, tha Bytyqi-Sefa.
Bislimi ka kërkuar masa rigoroze ndaj bizneseve, të cilat keqpërdorin situatën e fundit për ngritje të çmimeve dhe se situata e fundit nga rreziku i Coronavirusit, nuk duhet të keqpërdorët ose shfrytëzohet për pasurim të bizneseve, duke dëmtuar qytetarët dhe buxhetin e shtetit. /Telegrafi/