Telegrafi

Atdhe Arifi: Babait tim i thanë të largohem nga Vetëvendosje, do të kthehesha si “pëllumbi” në shtëpi

Aktivisti i Vetëvendosjes Atdhe Arifi, në emisionin “Personale” me Krenare Vokshi-Shala në RTV Dukagjini, ka rrëfyer për aktivitetin e tij politik dhe trajtimet gjate arrestimeve.

Arifi ka thënë qysh në momentin kur është arrestuar i është thënë “mos prit se do të trajtohesh si të tjerët, pasi ti je për terrorizëm”, përcjell Telegrafi.

Ai thotë se ky presion i është bërë në kohën kur ka qenë vetëm i dyshuar, pasi as aktakuzë nuk ka pasur në atë kohë.

Aktivisti i Vetëvendosjes pretendon se në kohën kur ka qenë në burg njerëz të PDK-së i kanë bërë presion familjes së tij.

“Eksponentë të caktuar të PDK-së në atë kohë kanë shkuar në familje dhe u kanë thënë kemi se kanë një kërkesë: ‘Le të del djali kundër Vetëvendosjes. Mos i pranoni njerëzit e Vetëvendosjes në shtëpi. Ne do t’ua biem djalin të shëndosh si pëllumbi në shtëpi’. Kjo flet shumë që ajo në masë të madhe ka qenë e organizuar prej tyre [arrestimet]”.

Lexo po ashtu Atdhe Arifi tregon bisedën e fundit me Astrit Deharin, derisa i dërgonin në burg

Atdheu thotë se babai i tij ka qenë ish i burgosur politik nga Serbia dhe nuk shantazhohet nga askush.

Ai thotë se edhe babai i tij është keqtrajtuar derisa është arrestuar në shtëpi.

Lexo po ashtu Rrëfimi i Atdhe Arifit: Astrit Dehari kishte plane dhe ëndrra pasi Vetëvendosje të vinte në pushtet

“Babai im nuk e ka merituar këtë trajtim nga njerëz me uniformë të Kosovës”, tregon ndër të tjera Atdhe Arifi./Telegrafi/