Site icon Telegrafi

Atalanta synon befasinë në Kupën e Italisë, Juve rekordin

Gian Piero Gasperini dhe Massimiliano Allegri (Getty Images)

Këtë mesjavë luhen ndeshjet e para gjysmëfinale të Kupës së Italisë.

Sot (e martë) në mbrëmje, në “Atleti Azzurri d’Italia” do të luhet përballja mes Atalantës dhe Juventusit.

Zikaltrit e drejtuar nga Gian Piero Gasperini do të kërkojnë që të vazhdojnë të befasojnë edhe në Kupën e Italisë, pas kualifikimit në 1/16-at e finaleve të Ligës së Evropës. Ndërsa Juventusi është vënë në ndjekje të një rekordi të ri, fitimin për të katërtin vit radhazi të kompeticionit.

Atalanta vjen në këtë gjysmëfinale pasi eliminoi në turin paraardhës një skuadër si Napoli, teksa e mposhti në “San Paolo” 2-1, si dhe pas fitores së pastër në fundjavë ndaj Sassuolos, me rezultatin 3-0. Bergamaskët duket se janë gati për këtë përballje të dyfishtë me torinezët, edhe pse sipas Gasperinit këta të fundit janë favoritët për të kaluar në finale.

Në krahun tjetër, te Juventusi rikthehet Gianluigi Buffon, i cili edhe pse i ka mbushur të 40 vitet, duket se nuk ka ndërmend ende të varë këpucët në gozhdë. Po kështu, trajneri Max Allegri do të ketë në dispozicion edhe Claudio Marchision, me mesfushorin që vuante një dëmtim në kofshën e djathtë.

Arbitri që do të vendosë drejtësinë në fushën e lojës, në këtë ndeshje, do të jetë Valeri. Ndeshja e kthimit mes Juventusit dhe Atalantës do të luhet në “Allianz Stadium”, më 28 shkurt. /TCh/

 

Exit mobile version