Një film i zhanrit gjysmartistik e gjysmëdokumentar, që përpiqet të ofrojë përgjigje për pyetjet e vështira që kanë të bëjnë me njerëzimin e në veçanti edhe me Kosovën, po përgatitet nga filmbërës vendorë e ndërkombëtarë, në mesin e të cilëve bën pjesë edhe aktori me famë botërore, Armand Assante.
Aktori amerikan të hënën ka vizituar Prizrenin, ku ka takuar krerët komunalë, si dhe është njohur me historinë e qytetit.
Në një konferencë për shtyp ka bërë të ditur se ka njohuri për vuajtjen monumentale të qytetarëve të Kosovës dhe se nisur nga kjo pikë ka vendosur që të përfshihet në projektin filmik të quajtur “Requiem for Europe” (Përkujtim për Evropën), në regji të filmbërësit kroat Jakov Sedlar.
“Një nga arsyet që jam përulur për t’u përfshirë në këtë projekt dhe të luaj rolin që kam, është se dokumentari merret me pyetje të cilat janë veçanërisht të vështira për t’iu përgjigjur dhe ato na përfshijë të gjithë neve. Në vete përmban simbolika se çfarë kemi mësuar nga Prizreni dhe Kosova, dhe si mund të vazhdojmë përpara drejt një ardhmërie për të ndërtuar një paqe të qëndrueshme”, ka thënë Assante, transmeton koha.net.
Sipas tij, Prizreni paraqet një udhëkryq të civilizimeve, që karakterizohet me tolerancën fetare, shumetninë dhe multikulturalizmin gjatë shekujsh, dhe i cili gjatë historisë mbijetoi mijëra vite të okupimit dhe të vuajtjes, për të ardhur në ditët e sotme si një tregim i njerëzimit.